Atmosfera paqësore dhe gjithpërfshirëse e zgjedhjeve të fundit lokale u lavdërua sot nga Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Zyrtari Përgjegjës për UNMIK, Milbert Dongjoon Shin, gjatë raportimit të tij në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Qeveritë komunale janë hallka më e afërt me komunitetet. Funksionimi i duhur i tyre ndihmon në transformimin e zërave në veprime, që formësojnë jetën e tyre të përditshme,” tha ZPSSP Shin gjatë seancës së rregullt për situatën në Kosovë.
Duke përshëndetur numrin më të lartë të kandidateve gra në zgjedhjet komunale të këtij viti, ai nënvizoi se vetëm një, nga 38 komunat e Kosovës do të udhëhiqet nga një grua.
ZPSSP Shin bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe gjithëpërfshirjes në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të planifikuara për nëntor.
Ai gjithashtu mirëpriti takimet e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, por përsëriti shqetësimet në lidhje me mbylljen e strukturave, veçanërisht atyre që ndikojnë në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe kulturore.
“Është e rëndësishme që autoritetet në Prishtinë të angazhohen në mënyrë të sinqertë me të gjitha komunitetet e përfshira, para se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e përditshme, dhe të kërkojnë alternativa të zbatueshme për të shmangur ose minimizuar pasojat negative.”
ZPSSP Shin u ndal gjithashtu te raportimet në rritje për arrestime nga policia, që lidhen me shfaqjen e simboleve kulturore, kombëtare apo fetare, si dhe shqetësimet për sigurinë dhe pavarësinë e mediave.
“Hapësira dinamike sociale e Kosovës mbetet një nga pikat e saj më të forta. Megjithatë, presionet e fundit ndaj shoqërisë civile kërkojnë më shumë vëmendje.” tha ai.
Duke folur për punën e Misionit, ZPSSP Shin theksoi programin e lidershipit të mbështetur nga UNMIK-u për 60 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile; edicionin e 7-të të Asamblesë Rinore të Kombeve të Bashkuara në qershor, me më shumë se 130 liderë nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor; si dhe Qendrën Barabar të mbështetur nga UNMIK-u, e cila ka organizuar mbi 220 ngjarje multietnike me më shumë se 17,000 pjesëmarrës.
“UNMIK rikonfirmon rëndësinë e ndërtimit të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve. Prandaj, ne vazhdojmë, pavarësisht kufizimeve financiare, të promovojmë besimin dhe kohezionin shoqëror.”
Deklarata e plotë: RAPORTIMI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT PËR UNMIK-un I ZËVENDËSPËRFAQËSUESIT SPECIAL TË SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM (ZPSSP) DHE UD I SHEFIT TË UNMIK-ut MILBERT DONGJOON SHIN | UNMIK
